08.
Mësimi i tetë.
Të gjitha lavdet i takojnë Allahut Një e të Vetëm, Ai të Cilit i drejtohet dhe ia ka nevojën gjithçka, Ai i Cili as nuk lind dhe as nuk është i lindur, dhe askush nuk është i barabartë me Të. Lavdërimet e shumta dhe shpëtimi i Allahut qofshin për Pejgamberin tonë, Muhamedin, si dhe mbi Familjen dhe Shokët e tij, deri në Ditën e Kijametit.
Më tej:
O ju vëllezër të virtytshëm, do të flasim sonte - in shaa Allah - për çështjen e katërt, nga katër çështjet të cilat i kemi detyrë që t’i mësojmë. Dhe ajo është: durimi përgjatë dëmtimeve në kërkimin e diturisë, në punimin me të dhe në thirrjen drejt saj, sepse është më se e ditur se ai që i thërret njerëzit dhe urdhëron të mirën dhe ndalon nga e keqja, patjetër që do të përballet me dëmtime nga ana njerëzve të këqinj, sepse shumë prej njerëzve nuk e duan të mirën, porse duan tekat, duan harramet dhe epshet. Dhe nëse atyre u vjen dikush që i thërret tek Allahu dhe i largon ata nga epshet e tyre, atëherë domosdo që ai do të përballet me kundërpërgjigje nga ana e tyre, me fjalë apo me vepër. Kështu që, obligimi i atij që thërret tek Allahu dhe kërkon Fytyrën e Allahut, është që të durojë dëmtimet dhe të vazhdojë thirrjen e tij. Dhe shembulli i tij është i Dërguari i Allahut - sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem - dhe të Dërguarit Fisnikë - ‘alejhimus-salatu ues-selam -. Çfarë hasi i Dërguari i Allahut - sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem - nga njerëzit? Sa dëmtime me fjalë e me vepra hasi nga ata? Ata thanë se ai është “magjistar”, thanë se ai është “gënjeshtar”, thanë se ai është “i çmendur”, thanë se ai është “fallxhor” dhe fjalë të tjera si këto. Ata e dëmtuan atë, e qëlluan me gurë - ‘alejhis-salatu ues-selam - dhe ia gjakosën thembrat e këmbëve - sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem -, kur ai i thirri ata tek Allahu - ‘Azze ue Xhel-le -. Ata i hodhën mbi shpinë fetusin e devesë së ngordhur, kur ai ishte në sexhde, duke u falur në Qabe. Ata e kanosën atë me vrasje dhe e kërcënuan. Kurse në betejën e Uhudit atij i thyen dhëmbin e parë dhe i çanë kokën dhe ra në një gropë - ‘alejhis-salatu ues-selam -, ndërkohë që ai është Pejgamberi i Allahut. Të gjitha këto dëmtime i hasi në thirrjen për tek Allahu. Mirëpo ai duroi dhe e mbajti veten. Prandaj, ai i cili e merr përsipër përcjelljen e kësaj thirrjeje, patjetër që do të përballet me dëmtime, në varësi të imanit dhe thirrjes së tij, mirëpo ai e ka detyrë që të durojë.
يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا اصْبِرُوا وَصَابِرُوا وَرَابِطُوا وَاتَّقُوا اللَّهَ لَعَلَّكُمْ تُفْلِحُونَ (٢٠٠
“O besimtarë. Bëhuni të durueshëm dhe nxiteni njëri-tjetrin të jeni të tillë; bëhuni të vendosur dhe vigjilentë (në vepra të mira dhe në ruajtjen e kufijve) dhe kijeni frikë Allahun, që të shpëtoni.” Aali-Imran, 200
Dhe ai duhet ta dijë se çdo dëmtim që ai përjeton, do të jetë në krahun e peshores me veprat e tij të mira dhe do t’i ngrihen gradët Ditën e Kijametit.
Andaj, kijeni frikë Allahun dhe bëni durim!
- Sabri (durimi) nga ana gjuhësore do të thotë: përmbajtje dhe ndalim. Kurse në terminologjinë (Sheriatike) do të thotë: të përmbash veten nga dëshpërimi dhe të mbash gjuhën nga të ankuarit dhe gjymtyrët nga gjuatja e faqeve me shuplaka dhe nga shqyerja e xhepave.
- Durimi është disa llojësh: durimi në bindjen ndaj Allahut, durimi në mos kundërshtimin e Allahut dhe durimi në çdo gjë që ndodh me Kaderin (Caktimin) e Allahut.
Kështu që, thirrësi e ka detyrë që të bëjë durim kur mëson diturinë, sepse mësimi i diturisë kërkon durim, durim të madh. Nuk arrihet dija me rehatinë e trupit, sikurse kanë thënë dijetarët e Selefëve. Ai e ka detyrë që të bëjë durim në punimin me këtë dije.
وَالَّذِينَ جَاهَدُوا فِينَا لَنَهْدِيَنَّهُمْ سُبُلَنَا وَإِنَّ اللَّهَ لَمَعَ الْمُحْسِنِينَ (٦٩
“Ata që përpiqen për çështjen Tonë, sigurisht, Ne do t’i udhëzojmë drejt udhëve Tona. Vërtet, Allahu është me punëmirët.” el-Ankebut, 69
Dhe ai duhet të bëjë durim në thirrjen për tek Allahu.
فَاصْبِرْ كَمَا صَبَرَ أُولُو الْعَزْمِ مِنَ الرُّسُلِ
“Prandaj, ti bëhu i durueshëm, ashtu siç kanë duruar me këmbëngulje të Dërguarit e vendosur.” el-Ahkaf, 35
وَاصْبِرْ عَلَى مَا يَقُولُونَ وَاهْجُرْهُمْ هَجْرًا جَمِيلا (١٠
“Andaj bëj durim për ato që thonë ata.” el-Muzemmil, 10
وَاصْبِرْ لِحُكْمِ رَبِّكَ
“Prandaj, duro për gjykimin e Zotit tënd.” et-Tuur, 48
وَلَقَدْ كُذِّبَتْ رُسُلٌ مِنْ قَبْلِكَ فَصَبَرُوا عَلَى مَا كُذِّبُوا وَأُوذُوا حَتَّى أَتَاهُمْ نَصْرُنَا وَلا مُبَدِّلَ لِكَلِمَاتِ اللَّهِ وَلَقَدْ جَاءَكَ مِنْ نَبَإِ الْمُرْسَلِينَ (٣٤
“Edhe para teje shumë të dërguar janë mohuar, por ata e kanë duruar mohimin dhe lëndimin (që kanë pësuar), derisa u ka ardhur ndihma Jonë.” el-En’aam, 34
Me durim vjen ndihma, sikurse ka thënë Pejgamberi - ‘alejhis-salatu ues-selam -:
وَ اعْلَمْ أَنَّ النَّصْرَ مَعَ الصَّبْر
“Dhe dije se ndihma vjen me durimin.”
Nëse Ehli-Suneti duron në marrjen e diturisë, në punimin me të dhe në thirrjen drejt saj, atyre do t’u vijë ndihma dhe ngadhënjimi me Lejen e Allahut. Prandaj Pejgamberi - sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem - duronte pavarësisht dëmtimeve që ia shkaktonte populli i tij, dhe thoshte:
اللهُمَّ اغْْفِرْ لِقَوْمِي لأَنَّهُمْ لا يَعْلَمُون
“O Allah fale popullin tim sepse ata nuk dijnë.”
Ka thënë Shejkhu jonë, Ahmed en-Nexhmij - rahimehullah -: “Dëmtimet patjetër që do të ndodhin. Dëmtimet mund të jenë të lehta ose të rënda, mirëpo është detyrë që t’u bësh ballë atyre me durim, dhe mos u mërzit, porse thirr tek Allahu me urtësi dhe me këshillim të mirë.”
Ka thënë Allahu - Subhanehu ue Te’ala -:
وَجَعَلْنَا مِنْهُمْ أَئِمَّةً يَهْدُونَ بِأَمْرِنَا لَمَّا صَبَرُوا وَكَانُوا بِآيَاتِنَا يُوقِنُونَ (٢٤
“Ne zgjodhëm prej tyre prijës, të cilët udhëzonin me urdhërin Tonë, kur ata duruan dhe besuan bindshëm në ajetet tona.” es-Sexhdeh, 24
Sikurse ka thënë ‘Umeri - radij-Allahu ‘anhu -: “Çastet më të mira të jetës për ne kanë qenë ato kur kemi bërë durim.”
‘Aliu - radij-Allahu ‘anhu - thotë: “Durimi në Iman është si pozita që ka koka në trup.”
Pejgamberi - ‘alejhis-salatu ues-selam - thotë:
ما اعطِيَ أَحَدٌ عَطَاءً خَيْرًا وَ لا أَوْسَعاً مِنْ الصَّبْر
“Nuk i është dhënë njeriut gjë më e mirë dhe më e bollshme sesa durimi.”
Dhe ka thënë Pejgamberi - sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem - thotë:
و من يَتَصَبَّر يصبِّرْهُ اللهُ
“Kush bën durim, Allahu ka për t’i dhënë durim.”
Bëj durim o vlla, o kërkuesi i diturisë, bëj durim në mësimin e diturisë, në punimin me të dhe në thirrjen drejt saj. Kanë thënë dijetarët: Kush e mëson diturinë, punon me të dhe thërret drejt saj, patjetër që do të përballet me dëmtime, prandaj ai duhet të jetë i duruar.
وَالْعَصْرِ (١) إِنَّ الإنْسَانَ لَفِي خُسْرٍ (٢) إِلا الَّذِينَ آمَنُوا وَعَمِلُوا الصَّالِحَاتِ وَتَوَاصَوْا بِالْحَقِّ وَتَوَاصَوْا بِالصَّبْرِ (٣)
“Pasha kohën. Me të vërtetë njeriu është në humbje të sigurtë. Me përjashtim të atyre që besuan dhe bënë vepra të mira, si dhe këshilluan njëri-tjetrin me të vërtetën dhe këshilluan njëri-tjetrin me durimin.” el-Asr, 1-3
“Me përjashtim të atyre që besuan” është besimi me dije; “dhe bënë vepra të mira” është punimi me dijen; “si dhe këshilluan njëri-tjetrin me të vërtetën” është daveti, thirrja; “dhe këshilluan njëri-tjetrin me durimin” është durimi gjatë përballjes me dëmtimet.
Dhe këto janë katër çështjet.
Sikurse ka thënë edhe Imam Ibnul-Kajjim - rahimehullah -: “Që njeriu të përpiqet në marrjen e dijes, të përpiqet në punimin me të, të përpiqet në davet dhe të përpiqet në durimin, në përballimin e vështirësive në thirrjet për tek Allahu - ‘Azze ue Xhel-le -.”
Lus Allahun - Xhel-le ue ‘Alaa - me Emrat e Tij të Bukur dhe Cilësitë e Tij të Larta, që të na japë neve dhe juve dije të dobishme, vepra të mira dhe sinqeritet në fjalë dhe në vepra.
Po e mbyll me kaq.
Lavdërimet dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi Pejgamberin tonë, Muhamedin, si dhe për Familjen e tij dhe të gjithë Shokët e tij.