03.
Mësimi i tretë.
Të gjitha lavdet i takojnë Allahut Një, të Vetmit, Atij të Cilit i luten të gjitha krijesat për nevojat e tyre, i Cili as nuk lind e as nuk është i lindur, dhe askush nuk është i barabartë (a i krahasueshëm) me Atë.
Lavdërimet dhe bekimet e Allahut qofshin mbi Pejgamberin tonë, Muhamedin, si dhe mbi Familjen dhe Shokët e tij, e më pas:
Vëllezër të nderuar, vazhdojmë me mësimin tonë “Shpjegimi i Tre Parimeve”, të dijetarit, muxhedidit, Muhamed Ibën ‘Abdul-Uehhab - rahimehullah -:
Dhe thamë më parë rreth fjalës së Imamit:
“Dije - Allahu të mëshiroftë - se e ke detyrë që të mësosh katër çështje.”
Pastaj ai - Rahimullah - filloi me të parën prej tyre, e cila është “dija”. Ai tha:
“Dija është: njohja e Allahut, njohja e Pejgamberit të Tij dhe njohja e Fesë Islame me argumente.”
Dhe filloi imami - rahimehullah - me çështjen e parë nga katër çështjet - e cila është detyrë që të mësohet - dhe ajo është dija. Dhe ajo që kihet për qëllim me dijen është dija Sheriatike, të cilën robi e ka detyrë që ta mësojë, të cilën robi e ka detyrë që ta mësojë dhe (mësimi saj) kërkohet prej nesh individualisht dhe kolektivisht. E ajo është:
01 - Njohja e Allahut me Emrat dhe Cilësitë e Tij, njohja e të Drejtës së Tij mbi ne, e ajo është: që adhurimi të jetë vetëm për Të, të Vetëm e të Pashok. Pra, gjëja e parë që robi e ka detyrë është: njohja e Zotit të tij - ‘Azze ue Xhel-le - dhe se si ta adhurojë Atë.
Dhe dija është njohja e udhëzimit me argumentet e tij, siç ka thënë Imam Ibnul Kajjim - rahimehullah -:
العلم معرفة الهدى بدليله ** ما ذاك والتقليد يستويان
“Njohja e Udhëzimit me argumentin e tij, kjo është dija,
Kurse dija me taklidin, nuk janë njësoj këto të dyja.”
Dhe dija është ajo tek e cila përmbushen dy kushte:
01 - Sinqeriteti në adhurimin e Allahut;
02 - Pasimi i Pejgamberit - sal-lAllahu 'alejhi ue sel-lem -.
Dhe ka thënë Pejgamberi - sal-lAllahu 'alejhi ue sel-lem -, siç ndodhet hadithi tek Ibën Maxheh dhe el-Albanij e ka bërë atë të saktë:
طلب العلم فريضة على كل مسلم.
“Kërkimi i dijes është farz për çdo Musliman.”
Fjala e Imamit - rahimehullah -: “ Dija është njohja e Allahut...”
Njohuria (el-ma’rifeh) dhe dija (el-‘Ilm) nëse përmenden të dyja bashkë në të njëjtën kohë, kanë kuptime të ndryshme, e nëse përmenden veç e veç, atëherë kanë kuptim të njëjtë. Dija (el-‘Ilm)përdoret për diturinë e vjetër që zotëron, kurse njohuria (el-ma’rifeh) përdoret për diturinë e re që ke arritur. Dhe nëse ato të dyja përmenden veç e veç, atëherë kanë kuptim të njëjtë. Domethënë, nëse përmendet ndonjëra prej tyre e vetme, atëherë ajo përfshin edhe tjetrën. Kurse njohuria (el-ma’rifeh) përdoret për dijen dhe mendimin, supozimin. Prandaj, nuk thuhet për Allahun - ‘Azze ue Xhel-le - se Ai ka njohuri, porse thuhet se Ai ka Dije, sikurse kanë thënë dijetarët.
Kështu, njohja e Allahut - ‘Azze ue Xhel-le - është dy llojëshe: njohja pohuese, të cilën e kanë të gjithë njerëzit, të mirë e të këqinj, të bindur e të pabindur. Dhe argument është Fjala e të Lartësuarit:
أَفَغَيْرَ دِينِ اللَّهِ يَبْغُونَ وَلَهُ أَسْلَمَ مَنْ فِي السَّمَاوَاتِ وَالأرْضِ طَوْعًا وَكَرْهًا
“A mos kërkojnë ata diçka tjetër përveç fesë së Allahut, ndërkohë që Atij i përulen të gjithë ata që gjenden në qiej dhe në Tokë, me hir a me pahir…” Aali-Imran, 83
Lloji i dytë: është njohja rreth Allahut, njohje e cila të obligon që ti të kesh turp nga Ai, që të kesh dashuri për Të, që ta lidhësh zemrën tënde me Të, që të jesh i përmalluar për Takimin me Të dhe që të kthehesh tek Ai.
Autori - Rahimullah - tha “njohja e Allahut” dhe nuk tha “njohja e Zotit”, sepse Rububijen e pohuan qafirat. Edhe Iblisi tha:
قَالَ رَبِّ بِمَا أَغْوَيْتَنِي
“Zoti im, për shkak se Ti më çove në humbje…” el-Hixhr, 39
Pra, Iblisi e pohoi Rububijen, mirëpo kjo nuk i bëri dobi atij dhe as nuk e futi në Islam. Tha Imami - Allahu pastë mëshirë për të -: “Dija është njohja e Allahut…”
Njohja e Allahut të Lartësuar është duke njohur Emrat, Cilësitë dhe Veprat e Tij, ashtu siç na ka mësuar Kur`ani dhe Suneti i Pejgamberit të Tij - sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem -. Dhe njohja e Allahut - ‘Azze ue Xhel-le - obligon pranimin e çdo ligji që ka vendosur Allahu i Lartësuar dhe, njohjen e tyre, nështrimin ndaj tyre dhe gjykimin me Sheriatin e Tij - ‘Azze ue Xhel-le -, me të cilin erdhi Pejgamberi - sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem -. Robi e njeh Zotin e tij duke parë shenjat treguese në Sheriat dhe në univers. Nëse ai mediton në ato shenja, ai arrin ta njohë Allahun - Xhel-le ue ‘Alaa -. Ka thënë i Lartësuari:
وَفِي الأرْضِ آيَاتٌ لِلْمُوقِنِينَ (٢٠) وَفِي أَنْفُسِكُمْ أَفَلا تُبْصِرُونَ (٢١
“Në Tokë ka shenja për ata që besojnë me bindje, po edhe në vetet tuaja - a nuk e shihni vallë?” edh-Dharijjat, 20-21
Dhe njohja e Allahut të Përsosur nga çdo e metë, është prirje e njeriut dhe ajo është e ngulitur në natyrshmërinë njerëzore. Dhe çdo krijesë e di që Allahu është Krijuesi dhe Furnizuesi i tij. Kurse ata që e mohojnë këtë, siç janë ateistët, e mohojnë nga ana e jashtme, kurse përbrenda veteve të tyre ata janë më se të bindur që Allahu është Krijuesi dhe Furnizuesi. Ka thënë Allahu - Xhel-le ue ‘Alaa -:
وَجَحَدُوا بِهَا وَاسْتَيْقَنَتْهَا أَنْفُسُهُمْ ظُلْمًا وَعُلُوًّا
“Kështu, ata i mohuan ato padrejtësisht dhe me kryelartësi, edhe pse në vetet e tyre ishin të bindur që ato ishin vërteta.” en-Neml, 14
Njohja e Allahut me detaje nuk mund të arrihet dhe as nuk mund të ndodhë, përveç se nga ata të cilët i dërgoi Allahu i Lartësuar. Ka thënë Allahu - ‘Azze ue Xhel-le -:
يَا بَنِي آدَمَ إِمَّا يَأْتِيَنَّكُمْ رُسُلٌ مِنْكُمْ يَقُصُّونَ عَلَيْكُمْ آيَاتِي فَمَنِ اتَّقَى وَأَصْلَحَ فَلا خَوْفٌ عَلَيْهِمْ وَلا هُمْ يَحْزَنُونَ (٣٥
“O bijtë e Ademit, kur nga gjiri juaj të vijnë të dërguar që ju shpjegojnë shpalljet e Mia, atëherë ata që ruhen nga të këqijat dhe kryejnë vepra të mira, nuk do të frikësohen e as do të pikëllohen.” el-E’araf, 35
Me të vërtetë, Allahu e ka bërë të njohur Veten e Tij përpara robërve të Tij nëpërmjet disa çështjeve:
- E para: Shikon se njerëzit janë të lidhur me Të dhe i drejtohen Atij, sepse njerëzit nëse do të ishin të izoluar (nga cytjet e shejtanëve xhindë e njerëz) dhe do të liheshin (në gjendjen e tyre që i krijoi Allahu), do të kishin mbetur në Hanifijeh, në Fenë e Ibrahimit, sepse çdo njeri lind në Fitrah.
- E dyta: Se Allahu i Përsosur nga çdo e metë i ka njoftuar ata rreth Emrave, Cilësive dhe Veprave të Tij, të cilat tregojnë për Të.
- E treta: Ajetet e Tij Sheriatike (në Kur`an) dhe hadithet e sakta Pejgamberike.
- E katërta: Shenjat treguese universale, në vetet e tyre dhe në horizonte.
- E pesta: Mirësitë, begatitë të cilat as nuk numërohen dhe as nuk llogariten, të dukshme e të padukshme.
Nëpërmjet të gjitha këtyre, robi e njeh Zotin e tij, të Përsosurin nga çdo e metë.
Dhe me të vërtetë Allahu - ‘Azze ue Xhel-le - e ka bërë të njohur Veten e Tij tek ne: se Ai është mbi Arshin e Tij, i Lartësuar mbi krijesat e Tij dhe se Dija e Tij ka përfshirë gjithçka. Ai na e ka bërë të ditur se është Një dhe se është i Vetmi që krijon dhe se Ai ka Emrat e Bukur dhe Cilësitë e Larta.
Kjo pra është njohja e Allahut të Lartësuar.
Lusim Allahun t’u japë të gjithëve sukses dhe korrektësi, si dhe të na japë neve dhe juve dije të dobishme dhe vepra të mira.
Allahu dhëntë lavdërime dhe bekime për Pejgamberin tonë, Muhamedin, si dhe për Familjen dhe të gjithë Shokët e tij.