01.
Mësimi i pare.
Lëvdata dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi krijesën më të mirë të Allahut, mbi familjen e tij, shokët e tij dhe tabi’inët, si dhe mbi atë që i pason ata në mirësi deri në Ditën e Gjykimit.
E më pas:
Vëllezër të nderuar, fillojmë mësimin tonë në këtë libër të mrekullueshëm, dhe ai është libri “Tre Parimet” i Imamit Muxheddid (ripërtëritësit), Muhamed ibën Abdul-Uehhabit – Rahimullah –.
Muhamed ibën Abdul-Uehhab është Muhamed ibën Abdul-Uehhab ibën Sulejman Et-Temimi. Ai u lind në qytetin Ujejneh, që ndodhet në veri të Rijadit, në vitin 1115 dhe vdiq në vitin 1206.
Ai e mësoi Kur’anin Fisnik në vitin e dhjetë të moshës së tij, dhe shkoi të kërkonte dije në shumë vende. Ai u rrit në një shtëpi me dije, babai i tij ishte gjykatës në atë vend, ndërsa gjyshi i tij, Shejkh Sulejmani, ishte Mufti dhe pikë referimi për dijetarët, gjithashtu xhaxhallarët e tij ishin dijetarë.
Kështu që, ai u rrit në një shtëpi të dijes, dhe u edukua nga babai i tij, Abdul-Uehhab si dhe nga xhaxhallarët e tij qysh në vegjëli. Kështu, ai mësoi Kur’anin dhe u dallua në dije që kur ishte i vogël. Babai i tij u mahnit me zgjuarsinë dhe modestinë e tij.
Ai (Muhamed ibën Abdul-Uehhab) u përpoq në thirrjen për veçimin e Allahut – të Gjithëfuqishëm e të Lartësuar – në adhurim. Dhe Imami Muhamed ibën Su’ud – Rahimullah – i tha atij: “Ju përgëzoj për ndihmë dhe përkrahje (që do t’iu japim)”. Ndërsa Shejkh Muhamed ibën Abdul-Uehhab i tha:“Ndërsa unë të përgëzoj për triumf dhe pushtet, kjo është feja e Allahut, kush e ndihmon atë, atëherë Allahu do ta ndihmojë atë”.
Kjo broshurë, broshura “Tre Parimet” është një broshurë e rëndësishme. Dijetarët janë kujdesur për të si dhe për mësimin përmendësh të saj, për shkak se ajo ka përmbledhur argumente nga Kur’ani dhe Suneti në pohimin e bazave të Teuhidit. Për këtë arsye, Shejkh Abdul-Aziz ibën Baz – Rahimullah – ka thënë: “Kjo është një broshurë e rëndësishme në Akide”.
Imami, Muhamed ibën Abdul-Uehhab – Rahimullah – ua diktonte nxënësve dhe njerëzve të zakonshëm këto parime me qëllim që ata t’i mësonin dhe t’i memorizonin. Ajo është një broshurë që dijetarët i kanë dhënë rëndësi shpjegimit, sqarimit dhe memorizimit të saj. Ajo është prej broshurave me të cilën fillojnë nxënësit e dijes kërkimin, ata që janë fillestarë në kërkimin e dijes, ata e fillojnë me këtë.
Nxënësi i dijes e fillon (kërkimin e dijes) me çështjet e vogla të dijes para çështjeve të mëdha. Për këtë arsye, i Lartësuari thotë:
وَلَـٰكِن كُونُوا رَبَّانِيِّينَ بِمَا كُنتُمْ تُعَلِّمُونَ الْكِتَابَ وَبِمَا كُنتُمْ تَدْرُسُونَ ﴿٧٩﴾
“Porse, bëhuni Rab-banijinë (robër të ditur të fesë së Zotit që i zbatojnë porositë e Tij), sepse ua keni mësuar Librin të tjerëve dhe e mësoni edhe vetë”. Al-Imran, 79
Disa selefë kanë thënë “Rab-bani” është ai që fillon me çështjet e vogla të dijes para çështjeve të mëdha.
Imami – Rahimullah – e filloi këtë broshurë me (fjalën) “Bismilah”:
Bismil-lahir-Rrahmanir-Rrahim
(Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshiruesit).
Fjala “Bismilah”, fjala “Isëm” thuhet se është marrë nga fjala “sumu-u,” që domethënë “Lartësi”.Gjithashtu, thuhet se është marrë nga fjala “sima” që domethënë “Shenjë”.
Bismil-lahir-Rrahmanir-Rrahim (Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshiruesit). Fjala “Allah” është emër i përveçëm i Zotit – të Patëmeta e i Lartësuar – që do të thotë: “i Adhuruari me dashuri dhe madhërim”.
Allahu i Lartësuar e ka këtë emër, nuk quhet askush tjetër përveç Tij më këtë emër. Madje edhe mendjemëdhenjtë dhe pabesimtarët sikurse është Fir’auni, nuk e ka emërtuar veten me këtë emër, ai nuk ka thënë: “Unë jam Allahu,” porse ka thënë: “Unë jam zoti juaj më i lartë.” Ai nuk guxoi që ta quante veten e tij me emrin “Allah”.
Allahu është ai që meriton Uluhijen, e që është adhurimi. Fjala “Bismilah”, parafjala (bi) dhe fjala e varur (ismi) janë të varura nga një fjalë e fshirë, dhe nënkuptimi i saj është: “I kërkoj ndihmë Allahut” ose “E filloj librin tim me Bismil-lahir-Rrahmanir-Rrahim (Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshiruesit)”.
Err-Rrahmani Err-Rrahim (të Gjithëmëshirshmit, Mëshiruesit) janë dy emra që rrjedhin nga fjala“Err-Rrahmeh (Mëshirë). Dhe dallimi mes tyre është se emri Err-Rrahman (i Gjithëmëshirshmi)është i veçantë për Allahun – e Lartësuar –, në aspektin e fjalës. Kështu që, nuk lejohet të emërtohet me të dikush tjetër përveç Tij, nuk lejohet që të emërtohet dikush prej njerëzve me emrin Err-Rrahman. Porse ai është i përgjithshëm nga ana kuptimore, i përgjithshëm nga ana kuptimore. Kështu që, Allahu – i Lartësuar – është Err-Rrahman (i Gjithëmëshirshmi) për të gjitha krijesat, madje edhe për kafshët, dhe kjo është mëshira e përgjithshme.
Ndërsa, Err-Rrahim (Mëshiruesi) është emër i veçantë për Allahun nga ana kuptimore. Kështu që, Ai – i Lartësuari – është Mëshirues ndaj besimtarëve. Ashtu sikurse ka thënë i Gjithëfuqishmi, i Lartësuari:
وَكَانَ بِالْمُؤْمِنِينَ رَحِيمًا ﴿٤٣﴾
“E Ai ndaj besimtarëve është i Mëshirshëm.” El-Ahzab, 43
Mirëpo ai është i përgjithshëm nga aspekti e fjalës. Kështu që, të cilësohesh me të është e saktë. Sikur të thuash: “Filani është mëshirues.” Allahu i Lartësuar ka thënë për Pejgamberin e Tij – sal-lAllahu alejhi ve selem – :
لَقَدْ جَاءَكُمْ رَسُولٌ مِّنْ أَنفُسِكُمْ عَزِيزٌ عَلَيْهِ مَا عَنِتُّمْ حَرِيصٌ عَلَيْكُم بِالْمُؤْمِنِينَ رَءُوفٌ رَّحِيمٌ ﴿١٢٨﴾
“Tashmë juve ju ka ardhur një i Dërguar nga gjiri juaj. Atij i vjen rëndë për vuajtjet tuaja, ai është i kujdesshëm për juve dhe është i butë e i mëshirshëm me besimtarët”. Et-Teubeh: 128.
Imami – Rahimullah – së pari e filloi këtë broshurë me Bismilah (Me emrin e Allahut) duke marr si shëmbëlltyrë Librin Fisnik (Kur’anin), ngase të filluarit me “Bismilah” gjendet në suret e Kur’anit, me përjashtim të sures “Bera’a” (Et-Teubeh)”. Pastaj, Bismileja (Bismil-lahir-Rrahmanir-Rrahim)është një pjesë e ajetit, ashtu sikurse është në fjalën e Allahut të Lartësuar:
إِنَّهُ مِن سُلَيْمَانَ وَإِنَّهُ بِسْمِ اللَّـهِ الرَّحْمَـٰنِ الرَّحِيمِ﴿٣٠﴾
“Me të vërtetë ajo (letra) është nga Sulejmani dhe është me: “Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshiruesit (Bismil-lahi Err-Rrahmani Err-Rrahim)”. En-Neml: 30.
Çështja e dytë:
Duke marr si shembull Pejgamberin – sal-lAllahu alejhi ve selem – në shkresat dhe letrat e ndërsjella të tija që u dërgonte mbretërve. Kështu që, ai e fillonte me “Bismil-lahir-Rrahmanir-Rrahim”.
Çështja e tretë:
Për të arritur bereqetin (begatinë). Ashtu sikurse ka ardhur në hadithin se Pejgamberi – sal-lAllahu alejhi ve selem –:
“Çdo çështje që ka peshë dhe që nuk fillohet në të me “Bismil-lahir-Rrahmanir-Rrahim”, atëherë ajo është e mangët”.
Ndërsa në një transmetim tjetër thuhet: “Ajo është pafrytshme”, ndërsa, në një transmetim tjetër thuhet “Është me të meta”, d.m.th me bereqet (begati) të mangët.
Këtë hadith e kanë shpallur të dobët disa dijetarë, sikurse Imam Albani. Ndërsa, disa dijetarë të tjerë e kanë vlerësuar si të mirë, sikurse Shejkh Abdul-Aziz ibën Baz – Rahimullah –. Kështu që, fillimi me “Bismil-lahir-Rrahmanir-Rrahim” në krye të librave ka bereqet (begati) dhe mirësi të madhe. Për këtë arsye, Shejkhu jonë, Shejkh Salih El-Feuzan – Allahu i dhëntë sukses – thotë: “Ata të cilët nuk i fillojnë librat dhe broshurat e tyre me “Bismil-lahir-Rrahmanir-Rrahim” e kanë lënë sunetin Pejgamberik dhe marrjen për shembull të Librit të Allahut – të Gjithëfuqishëm e i Lartësuar – dhe ndoshta për këtë shkak librat dhe broshurat e tyre nuk kanë bereqet dhe as nuk kanë dobi. Sepse ato (librat dhe broshurat) nëse nuk kanë “Bismil-lahir-Rrahmanir-Rrahim”, atëherë ato janë të privuara nga dobia, të privuara nga dobia.
Përse Imami Ripërtëritës – Rahimullah – u kufizua tek besmeleja (Bismil-lahir-Rrahmanir-Rrahim)dhe nuk ka vendosur parathënie të gjatë? Është thënë se Imami – Rahimullah – u kufizua tek besmeleja (Bismil-lahir-Rrahmanir-Rrahim) sepse ajo është nga lavdërimet dhe përkujtimet më të mira, sepse ajo është nga lavdërimet dhe përkujtimet më të mira.
Shpresojmë që të mjaftohemi me këtë, lëvdata dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi Pejgamberin tonë, Muhamedin, mbi familjen dhe të gjithë shokët e tij.