Shpjegimi i Tre Parimeve
Abdullah En-Nexhmi

07.


Mësimi i shtatë.

 

Të gjitha lavdet i takojnë Allahut, lavdërimet dhe shpëtimi i Allahut qofshin për Pejgamberin tonë, Muhamedin, si dhe për Familjen e tij, Shokët e tij, Tabi’inët dhe për të gjithë ata që i pasuan me mirësi deri në Ditën e Kijametit.

E më pas:

O ju vëllezër fisnikë, o ju vëllezër të virtytshëm, vazhdojmë me mësimin tonë në shpjegimin e “Tri Parimeve”, të Imamit dhe Muxhedidit Muhammed Ibën ‘Abdil-Uehhab - rahimehullah -. U ndalëm tek fjala e Imamit - rahimehullah -: “Dija, e cila është njohja e Allahut, njohja e Pejgamberit të Tij dhe njohja e Fesë Islame me argumente.” 

Mbaruam me çështjen e parë.

Çështja e dytë ishte: të punuarit me të. Domethënë, të punuarit me dijen. Dhe për këtë folëm në mësimin e shkuar.

Kurse çështja e tretë është: thirrja drejt saj. Dhe për këtë duam të flasim këtë mbrëmje.

Për sa i përket thirrjes drejt kësaj dijeje, nuk mjafton që njeriu të mësojë dhe të punojë për veten e tij dhe të mos thërrasë tek Allahu - ‘Azze ue Xhel-le -, porse ai duhet patjetër që t’i thërrasë të tjerët, që të jetë i dobishëm për veten e tij dhe për të tjerët. Dhe sepse kjo dije është amanet, e nuk është vetëm pronë e jotja, që ta kyçësh dhe t’i ndalosh njerëzit nga ajo, ndërkohë që njerëzit kanë nevojë për të. Detyra jote është ta përcjellësh dhe ta sqarosh atë, si dhe t’i thërrasësh njerëzit tek e mira, sepse me të vërtetë kjo dije që ta ka dhënë Allahu nuk është vetëm pronë e jotja, porse ajo është për ty dhe është për të tjerët. Prandaj, Allahu - Xhel-le ue ‘Alaa - thotë:

وَإِذْ أَخَذَ اللَّـهُ مِيثَاقَ الَّذِينَ أُوتُوا الْكِتَابَ لَتُبَيِّنُنَّهُ لِلنَّاسِ وَلَا تَكْتُمُونَهُ

“Kujtoje kohën kur Allahu mori premtimin nga ata që u është dhënë Libri se do t’ua shpjegojnë atë njerëzve dhe nuk do të fshehin asgjë nga ai.” Aali-Imran, 187

Këtë premtim Allahu e mori nga dijetarët, që ata t’u sqarojnë njerëzve atë që ua mësoi Allahu, që të përhapin të mirën dhe që t’i nxjerrin njerëzit nga errësira në dritë. Dhe kjo është puna e të Dërguarve - ‘alejhimus-salatu ues-selam - dhe e atyre që i pasuan.

قُلْ هَـٰذِهِ سَبِيلِي أَدْعُو إِلَى اللَّـهِ ۚ عَلَىٰ بَصِيرَةٍ أَنَا وَمَنِ اتَّبَعَنِي ۖ وَسُبْحَانَ اللَّـهِ وَمَا أَنَا مِنَ الْمُشْرِكِينَ ﴿١٠٨

“Thuaj: Kjo është rruga ime: unë ftoj drejt Allahut me dituri të sigurtë, unë dhe çdokush që më pason mua. I pastër nga çdo e metë është Allahu; dhe unë nuk jam prej atyre që i bëjnë shirk Atij.” Jusuf, 108

Kjo është rruga e të Dërguarit - sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem - dhe rruga e pasuesve të tij: dija dhe puna me të dhe thirrja tek Allahu - ‘Azze ue Xhel-le -. Kurse ai që nuk thërret, duke patur mundësi për të thirrur dhe ka dije porse e fshehu atë, ai do të lidhet me zinxhirë prej zjarri në Ditën e Kijametit, sikurse ka ardhur në hadith nga Pejgamberi - sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem -, të cilin e ka transmetuar Ebu Dauudi, Tirmidhiu dhe Ibën Maxheja, nga Ebu Hurejrah - radij-Allahu ‘anhu -, si dhe nga hadithi i Ebi Se’idit, i cili është hadith sahih.

Pra, o ju vëllezër, duhet patjetër që të thërrasim tek kjo dije, tek dija që mësuam dhe punuam me të. Duhet patjetër që të thërrasim tek kjo dije dhe t’ia përcjellim Umetit. Prandaj, Pejgamberi - sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem - kur dërgoi Mu’adhin në Jemen, siç ka ardhur në hadithin e Ibën ‘Abbasit tek dy Sahihët, i tha:

إِنَّكّ تَأْتِي قَوْما مِنْ أَهْلِ الْكِتَابِ فَلْيَكُنْ أَوَّلَ مَا تَدْعُهُمْ إِلَيْه شَهَادَةُ أَنْ لا إِلَهَ إَلا اللهُ

“Ti po shkon tek një popull që janë prej Ehli-Kitabëve, andaj le të jetë gjëja e parë tek e cila do t’i thërrasësh dëshmia La ilahe il-lAllah.”

Kurse në një transmetim tjetër ka ardhur:

إِلَى أَنْ يُوَحِّدُو اللهَ

Që ta veçojnë Allahun (në adhurim).”

Pra, ai e urdhëroi që të thërriste tek kjo dije dhe të përcillte Mesazhin. Po ashtu, ai dërgoi Ebu Musa Esh’ariun në Jemen, në Aden. Ai dërgonte Sahabët që të thërrisnin njerëzit tek Allahu, ashtu siç dërgoi Mus’ab Ibën ‘Umejrin - radij-Allahu ‘anhu - në Medine, i cili ishte nga të parët ambasadorë në Islam. Ai e dërgoi atë që të thërriste tek Allahu dhe të mësonte njerëzit. Thirrja është një çështje madhështore dhe thirrësi duhet patjetër që ta përcjellë këtë dije, sikurse ka thënë Pejgamberi - sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem -:

بَلِّغُوا عَنِّي وَ لَوْ آيَة

“Përcillni nga unë qoftë edhe një ajet.”

Dhe ka thënë Allahu - Xhel-le ue ‘Alaa -:

ادْعُ إِلَىٰ سَبِيلِ رَبِّكَ بِالْحِكْمَةِ وَالْمَوْعِظَةِ الْحَسَنَةِ

“Thirr në Rrugën e Zotit tënd me urtësi dhe këshillim të mirë dhe debato me ta me atë me atë që është më e mira.” en-Nahl, 125

Pra, duhet patjetër që të thërrasim tek Allahu, mirëpo thirrja tek Allahu nuk bëhet ndryshe vetëm se duke qenë e bazuar në dije, kurse çdo thirrje tjetër që nuk është e bazuar në dije nuk është në rrugën pejgamberike. Prandaj thotë i Lartësuari:

قُلْ هَـٰذِهِ سَبِيلِي أَدْعُو إِلَى اللَّـهِ ۚ عَلَىٰ بَصِيرَةٍ أَنَا وَمَنِ اتَّبَعَنِي

“Thuaj: Kjo është rruga ime: unë ftoj drejt Allahut me dituri të sigurtë, unë dhe çdokush që më pason mua.” Jusuf, 108

Domethënë: unë thërras me dije.

Dhe këto thirrje të shpikura dhe këto metodologji të risuara nuk janë të bazuara në dije, porse në të vërtetë janë të bazuara në injorancë, siç është rruga e Khauarixhëve. Dhe sikurse ka thënë Shejkhul-Islam Ibën Tejmijeh - rahimehullah - për Khauarixhët: “Ata janë injorantë, dolën përtej Kur’anit dhe Sunetit nga injoranca.”

Dhe ka thënë Imam Malik - rahimehullah -: “Vërtet, disa njerëz iu përkushtuan ibadetit dhe e braktisën dijen, kështu ata dolën kundër Umetit të Muhamedit me shpatat e tyre, e sikur të kishin kërkuar dijen, ajo do t’i kishte ndaluar ata nga kjo gjë.”

Dhe ka thënë Imam Ibnul-Kajjim - rahimehullah -: “Dhe çdokush që ra në fitnen e shubuhateve (dyshimeve dhe pështjellimeve në Fe), ra për shkak të shkurtpamësisë dhe dijes së pakët.”

Kijeni frikë Allahun dhe pajisuni me dijen e dobishme dhe thërrisni tek Allahu, thërrisni tek kjo dije që merrni.

Sa më shumë dije që merr njeriu, sa më shumë që i mëson të tjerët dhe sa më shumë që thërret tek kjo dije që mësoi, aq më shumë i shtohet dija atij dhe akoma më shumë bereqet i jep Allahu i Lartësuar në atë që ka mësuar, sikurse ka thënë Allahu - Xhel-le ue ‘Alaa -:

هَلْ جَزَاءُ الإحْسَانِ إِلا الإحْسَانُ (٦٠

“A ka shpërblim tjetër për të mirën, veç të mirës?” err-Rrahman, 60

Shpërblimi i të mirës është vetëm e mira.

Kjo është çështja e tretë, e cila është: që njeriu të thërrasë tek dija që ka mësuar. Prandaj, jini të zellshëm o vëllezër në vendin tuaj, në përpjekjet tuaja për të thirrur tek Allahu, duke e filluar thirrjen me Teuhidin e Allahut - Xhel-le ue ‘Alaa - sepse ai është parimi i të gjitha parimeve dhe themeli i të gjitha themeleve, dhe nuk është i saktë asnjë ibadet nëse i mungon Teuhidi i Allahut - Subhanehu ue Te’ala -.

Përpiquni sa më shumë në davet. Pejgamberi - sal-Allahu ‘alejhi ue sel-lem - thotë, siç ka ardhur  tek dy Sahihët:

أن يهدي الله بك رجلا واحدا خير لك من الحمرالنعم

“Që Allahu të udhëzojë një njeri të vetëm nëpërmjet teje është më e mirë për ty sesa devetë e kuqe.”

Domethënë kjo është më e mirë për ty sesa të kesh devetë më të mira. Pra ky është virtyt madhështor. Dhe sa herë që dikush përfiton nga daveti jot dhe u udhëzua në mirësi dhe në hak, aq herë do të kesh shpërblim, sikurse ka thënë Pejgamberi - sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem -:

الدّالُ عَلَى الْخَيْرِ كَفَاعِلِهِ

“Ai që udhëzon tek e mira ka shpërblimin e atij që e vepron atë.”

Dhe sikurse ka thënë Pejgamberi - sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem -:

مَن دَعَا إلى الهُدَى كان له من الأَُجُرِ مثلَ أجور من اتَّبَعَهُ لا ينقص ذلك من أجورهم شيئا، و من دعا إلى ضلالة كان عليه من الإثمِ مِثْل آثام من اتبعه لا ينقص من آثامهم شيئا

“Kush thërret drejt Udhëzimit do të ketë shpërblimin e atyre që e ndjekin atë, pa u pakësuar asgjë nga shpërblimi i tyre; dhe kush thërret drejt devijimit do të mbajë mbi shpinë gjynahet e atyre që e ndjekin atë, pa u pakësuar asgjë nga gjynahet e tyre.”

Ka thënë Allahu - Xhel-le ue ‘Alaa -:

لِيَحْمِلُوا أَوْزَارَهُمْ كَامِلَةً يَوْمَ الْقِيَامَةِ وَمِنْ أَوْزَارِ الَّذِينَ يُضِلُّونَهُمْ بِغَيْرِعِلْمٍ

“Që ata t’i mbajnë gjynahet e veta të plota në Ditën e Kiametit, si dhe pjesën e gjynaheve të atyre që i çuan në humbje nga padijenia.” en-Nahl, 25

I kërkojmë Allahut - Xhel-le ue ‘Alaa - që të na bëjë neve dhe juve prej thirrësave të Udhëzimit.

Lavdërimet dhe shpëtimi i Allahut qoftë për Pejgamberin tonë, Muhamedin, si dhe për Familjen e tij dhe të gjithë Shokët e tij.

 
This website was created for free with Own-Free-Website.com. Would you also like to have your own website?
Sign up for free