Shpjegimi i Tre Parimeve
Abdullah En-Nexhmi

06.


Mësimi i gjashtë.

 

Të gjitha lavdet i takojnë Allahut. Atë e lavdërojmë dhe prej Tij ndihmë, falje dhe udhëzim kërkojmë. I kërkojmë Allahut që të na ruajë nga sherri i veteve tona dhe nga të këqijat e veprave tona. Atë që e udhëzon Allahu s’ka kush ta humbasë dhe atë që e humbet Allahu s’ka kush ta udhëzojë. Dhe unë dëshmoj se s’ka të adhuruar tjetër me të drejtë përpos Allahut të vetëm e të pashok, dhe se Muhamedi është rob dhe i dërguar i Tij.

E më pas:

Ky është shpjegimi i “Tri Parimeve”, që sqaron për Umetin ato çështje, të cilat ne i kemi detyrë që t’i mësojmë. Ne morëm çështjen e parë, që ishte dija. Dhe dija është: të njohësh Allahun, të njohësh Pejgamberin e Tij dhe të njohësh Fenë Islame me argumente.

Kurse çështja e dytë është të punuarit me të, domethënë të punosh me dijen, sepse nuk mjafton vetëm që njeriu të mësojë, porse ai duhet ta dijë se duhet patjetër që të punojë me dijen e tij. Dhe dija pa vepra është si pema pa fryte. Dhe dija i thërret veprës, e nëse ajo nuk i përgjigjet, atëherë dija ikën. Prandaj, thotë Ibën Rraslani në “ez-Zubed”:

 

فـعــالــمٌ بـعـلـمِــهِ لــــــم يـعـمَــلَــنْ مُـعَــذَّبٌ مـــن قـبــلِ عُـبَّــادِ الــوَثَــنْ

وكـــلُّ مــــن بـغـيــر عــلــم يـعـمــلُ أعــمــالُــه مَـــــــردودَةٌ لا تُــقْــبَـــلُ

“Dijetari që me dijen e tij nuk punon,

Përpara adhuruesve të idhujve do të dënohet,

Kurse ai që pa dije punon,

Veprat i ka të refuzuara e asgjë s’i pranohet.

Prandaj, ka ardhur me transmetim të saktë në Sahihun e Muslimit se Pejgamberi - sal-Allahu ‘alejhi ue sel-lem - ka thënë: “Të parët të cilët do të futen në Zjarr janë tre veta.” Ata janë: njeriu që e mësoi dijen dhe e lexoi Kur`anin, porse e mësoi dijen që të thonë për të: “Ai është dijetar”, dhe e lexoi Kur`anin që të thonë për të “Ai është lexues i Kur`anit.” e jo për Allahun; njeriu që luftoi që të thonë për të “Ai është trim”; dhe njeriu që jepte sadaka që të thonë për të “Ai është bujar.” Përse? Sepse mungoi kushti i sinqeritetit. Punimi me atë dije nuk u bë për Fytyrën e Allahut të Lartësuar. Pra, dija pa vepra në të vërtetë është argument kundër njeriut. Prandaj thotë Pejgamberi - sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem -, siç ka ardhur në Sahihun e Muslimit, në hadithin e Ebij Malik el-Esh’arij:

القُرْآنُ حُجَّةٌ لَكَ أَوْ عَلَيْكَ

“Kur`ani është argument në favorin tënd ose kundër teje.”

Është argument në favorin tënd nëse ke punuar me të, dhe është argument kundër teje nëse nuk ke punuar me të. Sikurse ka thënë edhe Imami Ibnul-Kajjim - rahimehullah -: “Fryti i dijes është puna.”

Dhe prandaj, ne i lutemi Allahut të Lartësuar në çdo rekat, që të na udhëzojë në Rrugën e Drejtë:

اهْدِنَا الصِّرَاطَ الْمُسْتَقِيمَ (٦) صِرَاطَ الَّذِينَ أَنْعَمْتَ عَلَيْهِمْ غَيْرِ الْمَغْضُوبِ عَلَيْهِمْ وَلا الضَّالِّينَ (٧

“Na udhëzo në Rrugën e Drejtë, në Rrugën e atyre që u dhurove mirësi, e jo në rrugën e atyre që fituan Zemërimin Tënd, e as në rrugën e atyre që i humbën vetet e tyre.” el-Fatihah, 6-7

Pra, Allahu i Lartësuar i quajti ata të cilët punojnë pa dije “ed-Daaliin - të humburit”, kurse ata që kanë dije dhe nuk punojnë me të i quajti “el-Magdubi ‘alejhim - ata që fituan Zemërimin e Allahut”. Prandaj këtu duhet patur kujdes, sepse kjo është shumë e rëndësishme. Dhe për këtë kanë thënë disa prej Selefëve: “Kur në mesin tonë prishen ata që bëjnë ibadet, ata kanë ngjashmëri me të Krishterët, dhe kur prishen dijetarët tanë, ata kanë ngjashmëri me Çifutët.”

Dhe ka ardhur në hadithe të shumta paralajmërimi kundër lënies së punimit me dijen, po ashtu edhe në ajete të shumta. Thotë Allahu - Xhel-le ue ‘Alaa -:

يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا لِمَ تَقُولُونَ مَا لا تَفْعَلُونَ (٢) كَبُرَ مَقْتًا عِنْدَ اللَّهِ أَنْ تَقُولُوا مَا لا تَفْعَلُونَ (٣

“O ju që besoni, përse thoni atë që nuk e bëni? Është shumë e urryer për Allahun të thoni atë që nuk e bëni” es-Saff, 2-3

Dhe thotë i Përsosuri nga çdo e metë:

أَتَأْمُرُونَ النَّاسَ بِالْبِرِّ وَتَنْسَوْنَ أَنْفُسَكُمْ وَأَنْتُمْ تَتْلُونَ الْكِتَابَ أَفَلا تَعْقِلُونَ (٤٤

“Vallë, a i urdhëroni njerëzit që të bëjnë të mira e veten po e harroni, ndërkohë që ju lexoni Librin? A nuk arsyetoni?” el-Bekarah, 44

Pra, duhet patjetër që të punohet me dijen.

Dhe ka ardhur në hadithin Sahih, në hadithin e Usameh Ibën Zejd, se Ditën e Kijametit do të sillet një njeri dhe do të vërvitet në Zjarr e do të vërshojnë jashtë zorrët e barkut të tij. Ai do të sillet rrotull me to (në Zjarr) ashtu siç sillet gomari rrotull mullirit. Atëherë do t’i thonë atij (banorët e Zjarrit): “O filan? A nuk ishe ti ai që na urdhëroje për të mirë dhe na ndaloje nga e keqja?” Kurse ai do të thotë: “Posi jo! Porse unë u urdhëroja të mirën dhe vet nuk e bëja, dhe u ndaloja nga e keqja kurse vet e bëja.”

Prandaj, kijeni frikë Allahun dhe punoni me dijen! Kijeni frikë Allahun dhe punoni me dijen!

Dhe është transmetuar për këtë nga Ebu Derda’ se ai ka thënë: “Me të vërtetë, kam frikë nga Zoti im Ditën e Kijametit, se mos më thërret para gjithë njerëzimit, dhe më thuhet: “O Uuejmir” Dhe unë do të them: “Urdhëro o Zoti im” Dhe më thuhet: “Çfarë ke punuar me atë që ke mësuar?” E ka transmetuar Bejhakiu dhe el-Albanij - rahimehullah - e ka shpallur Sahih.

Dhe sa bukur ka thënë el-Fudajl Ibën ‘Ijjad: “Nuk rresht dijetari së qënuri injorant, derisa të punojë me dijen e tij.”

Prandaj, kijeni frikë Allahun dhe punoni me dijen! Kijeni frikë Allahun dhe punoni me dijen! Me të vërtetë kjo dije është përgjegjësi shumë e madhe. Kur i mëson urdhërat, e ke detyrë që t’i zbatosh ato, kur i mëson ndalesat e ke detyrë të qëndrosh larg tyre, duke zbatuar atë që të ka urdhëruar Allahu dhe ka urdhëruar i Dërguari - sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem -, si dhe duke qëndruar larg atyre që i ka ndaluar Allahu dhe i ka ndaluar i Dërguari - sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem -. Prandaj, le të angazhohemi me zell në punimin me dijen, në Teuhid, në bërjen e adhurimit me sinqeritet vetëm për Allahun, në pastrimin, në kryerjen e namazit, në dhënien e zekatit dhe në të gjitha ibadetet e tjera, duke punuar me ato që ke mësuar rreth tyre. Sepse kjo dije është argument kundër teje në Ditën e Kijametit. Dhe për këtë, nuk ka për të lëvizur këmba e robit në Ditën e Kijametit, derisa të pyetet për katër gjëra: për jetën e tij si e kaloi, për rininë e tij ku e kaloi, për pasurinë e tij si e fitoi dhe ku e shpenzoi, si dhe për dijen e tij, çfarë punoi me të. Çfarë punove me dijen, a e zbatove, a e vure në praktikë apo jo?

O robi i Allahut, ti je përgjegjës para Allahut - ‘Azze ue Xhel-le -, prandaj përgatit përgjigje për pyetjen, dhe për përgjigjen përgatit vepra të sakta. 

Lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qoftë për Pejgamberin tonë, Muhamedin, si dhe për Familjen e tij dhe të gjithë Shokët e tij.

 
This website was created for free with Own-Free-Website.com. Would you also like to have your own website?
Sign up for free